Vai al contenuto

Questo documento è pubblicato solo in albanese e il testo albanese è quello che fa fede. Se un punto non è chiaro, ci scriva e glielo spiegheremo.

← Dokumentet ligjore

Njoftim për privatësinë

Përditësuar më 11 shtator 2026

Kjo faqe shpjegon çfarë të dhënash personale mbledh AlbNova, pse i mbledh, me kë i ndan, sa gjatë i ruan dhe çfarë të drejtash keni mbi to. Është shkruar duke u nisur nga ajo që sistemi bën realisht, jo nga një model i përgjithshëm, dhe është mbajtur e shkurtër me qëllim: një njoftim që nuk lexohet nuk informon askënd.

1. Kush është kontrolluesi dhe si na kontaktoni

AlbNova është kontrolluesi i të dhënave për këtë faqe: ne vendosim pse dhe si përpunohen të dhënat tuaja. AlbNova është emri tregtar me të cilin e ushtrojmë këtë veprimtari dhe emri të cilit i drejtoheni për çdo çështje që lidhet me të dhënat tuaja.

Për çdo pyetje, kërkesë ose ankesë lidhur me të dhënat tuaja, shkruani në info@albnova.com ose telefononi në 069 611 0888. Adresa e email-it lexohet nga personi që merret me këto kërkesa; për kërkesat mbi të dhënat preferojmë shkrimin, sepse afatet e përgjigjes numërohen nga dita e marrjes dhe një kërkesë me shkrim ka datë të provueshme.

Nëse ndodheni në BE, na drejtoheni drejtpërdrejt në kontaktet më sipër: kërkesat tuaja i trajtojmë njësoj dhe brenda të njëjtave afate, dhe të drejtat e përshkruara më poshtë ju takojnë të plota.

Torni all'indice

2. Cilat ligje zbatohen

Veprojmë sipas ligjit nr. 124/2024 "Për mbrojtjen e të dhënave personale" të Republikës së Shqipërisë.

Nëse ndodheni në Bashkimin Evropian, për ju zbatohet edhe Rregullorja (BE) 2016/679 — GDPR. Të drejtat e përshkruara më poshtë jua njohin të dyja, dhe kur ndryshojnë, zbatojmë atë që ju mbron më shumë.

Torni all'indice

3. Çfarë mbledhim dhe pse

Mbledhim vetëm të dhënat që na duhen për t'ju shërbyer. Konkretisht:

  • Llogaria juaj — emri, email-i, telefoni, qyteti dhe, nëse i shtoni, adresa dhe fotografia e profilit. Na duhen për të krijuar llogarinë, për t'ju identifikuar dhe për t'ju kontaktuar për punën tuaj.
  • Hyrja me Google ose Facebook — nëse e zgjidhni, marrim prej tyre emrin, email-in dhe një identifikues llogarie. Nuk marrim fjalëkalimin tuaj dhe nuk postojmë asgjë në emrin tuaj.
  • Kërkesa për shërbim — adresa e objektit, kati, shënimet e aksesit, telefoni i kontaktit në vend, përshkrimi i punës dhe fotot që ngarkoni. Pa këto nuk mund të vlerësojmë as të kryejmë punën.
  • Aplikimi për punë — emri, kontakti, CV-ja, fotografia, certifikatat profesionale dhe dokumenti i identitetit. Përdoren vetëm për shqyrtimin e aplikimit dhe për të verifikuar se profesionisti është ai që thotë se është.
  • Puna e kryer — orët, fazat, materialet, fotot e punës dhe vlerësimet. Na duhen për të drejtuar punën, për të paguar profesionistin dhe për të dokumentuar atë që u bë.
  • Mesazhet drejt mbështetjes — emri, email-i dhe përmbajtja e mesazhit ose e kërkesës për takim.
  • Bisedat me asistentin automatik — teksti i bisedës, për t'ju përgjigjur dhe për të parë ku shërbimi ynë nuk po jep përgjigje.
  • Të dhëna teknike — adresa IP, lloji i shfletuesit dhe të dhëna bazë të kërkesës. Ruhen te sesioni juaj i identifikimit dhe na duhen për sigurinë dhe për të kufizuar abuzimin.
  • Regjistri i veprimeve të stafit — kush nga stafi ynë preku cilën të dhënë dhe kur. Ekziston pikërisht për t'ju mbrojtur ju.

Nuk mbledhim të dhëna karte: faqja nuk kryen pagesa online. Nuk kërkojmë të dhëna për shëndetin, bindjet politike apo fetare, origjinën etnike, jetën seksuale apo të dhëna biometrike, dhe ju lutemi të mos i shkruani në përshkrimin e punës ose në bisedën me asistentin.

Torni all'indice

4. Baza ligjore për secilin përpunim

Çdo përpunim mbështetet në një bazë ligjore konkrete:

  • Zbatimi i kontratës, ose hapat me kërkesën tuaj para saj — llogaria, kërkesat për shërbim, ofertat, kryerja e punës dhe komunikimi për të.
  • Interesi ynë legjitim — siguria e faqes, parandalimi i abuzimit, regjistri i veprimeve të stafit dhe përmirësimi i shërbimit. Në secilin rast kemi peshuar interesin tonë kundrejt të drejtave tuaja; nëse doni ta dini si, na shkruani.
  • Pëlqimi juaj — aplikimet për punë, ruajtja e dokumenteve të aplikimit për mundësi të ardhshme dhe çdo komunikim jo thelbësor. Pëlqimin mund ta tërhiqni në çdo moment, pa pasoja për ju, dhe tërheqja nuk prek ligjshmërinë e përpunimit para saj.
  • Detyrimi ligjor — dokumentacioni tatimor dhe kontabël që na kërkon legjislacioni shqiptar.
Torni all'indice

5. Kur të dhënat nuk i marrim nga ju

Në tri raste mund të kemi të dhëna për ju që nuk na i keni dhënë vetë. Ju detyrohemi t'jua themi:

  • Kontakti në vend — nëse klienti jep numrin e një personi tjetër që hap derën, atë numër e marrim prej tij. E përdorim vetëm për të rënë dakord për hyrjen në objekt dhe e fshijmë me mbylljen e punës.
  • Referimet — kur një profesionist ju referon te ne me kodin e tij, regjistrojmë lidhjen midis jush dhe atij, që t'i njihet shpërblimi. Ai sheh vetëm nëse referimi u realizua, jo të dhënat e punës suaj.
  • Ftesat për ekip — kur një profesionist fton një tjetër në një ekip pune, marrim kontaktin e tij prej ftuesit, vetëm për t'i dërguar ftesën.

Në të tria rastet të dhënat janë kontakti bazë — emër dhe numër ose email. Të drejtat e listuara më poshtë ju takojnë njësoj.

Torni all'indice

6. A jeni të detyruar t'i jepni

Jo. Asnjë e dhënë nuk merret me detyrim ligjor prej jush. Por disa prej tyre janë të domosdoshme për shërbimin: pa adresë dhe pa përshkrim të punës nuk bëhet dot një ofertë, dhe pa email nuk krijohet dot llogaria. Nëse nuk i jepni, thjesht nuk mund t'ju ofrojmë atë pjesë të shërbimit — asnjë pasojë tjetër nuk keni.

Torni all'indice

7. Sa gjatë i ruajmë

  • Sesioni i identifikimit — 7 ditë, më pas skadon automatikisht. Dalja nga llogaria e shfuqizon menjëherë.
  • Bisedat me asistentin automatik — 90 ditë, më pas fshihen.
  • Kontakti i personit në vend — deri në mbylljen e punës përkatëse.
  • Të dhënat e llogarisë — për sa kohë llogaria është aktive. Nëse kërkoni fshirjen, e kryejmë brenda 30 ditëve, përveç asaj që duhet ta mbajmë me ligj.
  • Dokumentet e punës dhe faturimi — 5 vjet, sipas afateve që kërkon legjislacioni tatimor dhe kontabël shqiptar.
  • Dokumentet e aplikimit për punë, kur aplikimi nuk pranohet — 6 muaj, përveç kur bini shprehimisht dakord t'i ruajmë për mundësi të ardhshme; në atë rast, 2 vjet ose derisa ta tërhiqni pëlqimin.
  • Regjistri i veprimeve të stafit — 24 muaj.

Kur një afat mbaron, të dhënat fshihen ose anonimizohen në mënyrë që të mos ju identifikojnë më.

Torni all'indice

8. Me kë i ndajmë

Nuk i shesim të dhënat tuaja dhe nuk i ndajmë me askënd për reklama.

Brenda kompanisë i shohin vetëm ata që kanë nevojë, dhe vetëm sa u duhet: profesionisti i caktuar sheh adresën dhe kontaktin e punës që kryen, jo historikun tuaj, jo punët e tjera dhe jo të dhënat e klientëve të tjerë.

Jashtë kompanisë i përpunojnë vetëm ofrues shërbimi që punojnë sipas udhëzimeve tona dhe me kontratë përpunimi: strehuesi i faqes dhe i bazës së të dhënave, shërbimi që dërgon email-et tona, ofruesi i asistentit automatik, dhe Google ose Facebook nëse zgjidhni të hyni me ta. Asnjëri prej tyre nuk i përdor për qëllimet e veta.

I japim gjithashtu kur na detyron ligji — gjykatës, prokurorisë ose organeve tatimore, brenda asaj që kërkon vendimi ose kërkesa përkatëse.

Torni all'indice

9. Transferimet jashtë Shqipërisë dhe BE-së

Dy shërbime që përdorim ndodhen në Shtetet e Bashkuara, dhe kjo do të thotë se disa të dhëna dalin jashtë Shqipërisë dhe Zonës Ekonomike Evropiane:

  • Asistenti automatik — teksti që i shkruani asistentit i dërgohet ofruesit të modelit të gjuhës për të prodhuar përgjigjen. Mos i shkruani asistentit të dhëna që nuk do t'i thoshit një pale të tretë; për çështje personale përdorni formën e kontaktit.
  • Hyrja me Google ose Facebook — vetëm nëse e zgjidhni ju. Nëse nuk e përdorni, asgjë nuk shkon te ta.

Këto transferime i mbulojmë me klauzolat standarde kontraktore të miratuara nga Komisioni Evropian, të shoqëruara me një vlerësim të mbrojtjes në vendin pritës. Keni të drejtë të kërkoni një kopje të garancive që kemi vendosur — shkruani në info@albnova.com.

Pjesa tjetër e të dhënave — llogaria, kërkesat për shërbim, dokumentet e aplikimit dhe fotot — ruhet brenda Shqipërisë ose Zonës Ekonomike Evropiane.

Torni all'indice

10. Vendime të automatizuara dhe renditja e profesionistëve

Për klientët: asnjë vendim që ju prek nuk merret automatikisht. Ofertën, çmimin dhe caktimin e profesionistit i vendos gjithmonë një person.

Për profesionistët që punojnë me ne: sistemi llogarit automatikisht disa tregues për ju — cilësi, shpejtësi, përvojë dhe një nivel të përgjithshëm — nga puna e kryer dhe nga vlerësimet e marra. Ata ndikojnë në radhën me të cilën ju shfaqen punët në tabelë. Nuk përdoren për t'ju përjashtuar automatikisht, dhe asnjë ndërprerje bashkëpunimi nuk vendoset nga sistemi vetë.

Keni të drejtë t'i shihni treguesit tuaj në portalin tuaj, të merrni një shpjegim se si janë llogaritur, të kërkoni që një person t'i rishikojë dhe të kundërshtoni rezultatin. Për këtë shkruani në info@albnova.com ose drejtojuni menaxherit tuaj.

Torni all'indice

11. Cookies

Cookies që vendosim pa ju pyetur janë teknike, vetëm aq sa i duhen faqes të funksionojë. Nuk përdorim cookies reklamimi dhe nuk kemi piksel të Facebook-ut; Google Analytics 4 nis vetëm pasi ta lejoni shprehimisht te kategoria e matjes, kurrë përpara asaj, dhe nuk ju gjurmojmë nëpër faqe të tjera.

  • Cookie e sesionit — ju mban të identifikuar. Është httpOnly, pra nuk lexohet nga skriptet e faqes.
  • Cookie e gjuhës — mban mend gjuhën që keni zgjedhur.
  • Cookie e bisedës me asistentin — mban fillin e bisedës suaj dhe e mban të ndarë nga bisedat e të tjerëve.
  • Cookie e hyrjes me Google ose Facebook — jeton 10 minuta dhe shërben vetëm për të penguar keqpërdorimin e hyrjes.

Për këto nuk ju kërkohet leje: ligji e njeh përjashtimin për atë që është rreptësisht e nevojshme për shërbimin që kërkuat ju, dhe ne nuk e zgjerojmë përtej tij.

Megjithatë, në vizitën e parë ju dalim përpara me një banderolë. Arsyeja është një e vetme: duam të masim cilat faqe lexohen, dhe një matje e tillë nuk nisin dot pa lejen tuaj. Ju pyesim përpara se ta shtojmë, jo pasi ka nisur të mbledhë — sepse një pëlqim i marrë me vonesë nuk vlen për atë që u mblodh më parë. Derisa ta lejoni ju, asnjë mjet matjeje nuk vihet në punë; nëse thoni jo, ai nuk ndizet fare.

Zgjedhjen tuaj e ndryshoni kurdo nga «Cookies» në fund të çdo faqeje. Lista e plotë — emri i secilës, çfarë bën, sa gjatë qëndron — ndodhet te njoftimi për cookies, /legal/cookies.

Torni all'indice

12. Të drejtat tuaja

Mbi të dhënat tuaja keni të drejtë:

  • Të dini çfarë mbajmë për ju dhe të merrni një kopje.
  • Të korrigjoni atë që është e pasaktë ose e paplotë.
  • Të kërkoni fshirjen, kur nuk kemi më arsye ligjore t'i mbajmë.
  • Të kufizoni përpunimin, ndërsa shqyrtohet një kundërshtim ose një pasaktësi.
  • Të kundërshtoni përpunimin që mbështetet në interesin tonë legjitim.
  • Të merrni të dhënat tuaja në një format të lexueshëm nga makina dhe t'i çoni gjetkë.
  • Të tërhiqni pëlqimin, kurdo, kur përpunimi mbështetet në pëlqim.
  • Të kërkoni ndërhyrje njerëzore ndaj një përpunimi të automatizuar që ju prek.

Për t'i ushtruar, shkruani në info@albnova.com. Ju përgjigjemi brenda 30 ditëve dhe pa pagesë. Nëse kërkesa është veçanërisht e ndërlikuar, afatin mund ta zgjasim edhe me 60 ditë, por jua themi brenda muajit të parë pse.

Nëse mendoni se të drejtat tuaja janë shkelur, keni të drejtë të ankoheni pranë Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (idp.al). Nëse ndodheni në Bashkimin Evropian, mund të ankoheni edhe pranë autoritetit mbikëqyrës të vendit ku jetoni ose punoni. Ankimi te ne nuk është kusht paraprak — por ne do të donim ta zgjidhnim vetë.

Torni all'indice

13. Siguria

Fjalëkalimet ruhen të koduara dhe nuk janë të lexueshme as nga ne. Lidhja me faqen është e enkriptuar. Aksesi i stafit është i ndarë sipas rolit dhe çdo veprim mbi të dhënat tuaja regjistrohet.

Asnjë sistem nuk është plotësisht i pacenueshëm. Nëse ndodh një shkelje që rrezikon të drejtat tuaja, njoftojmë Komisionerin brenda 72 orëve dhe ju njoftojmë ju pa vonesë të panevojshme.

Nëse gjeni një dobësi sigurie, ju lutemi na shkruani përpara se ta bëni publike — mënyra e raportimit është te /.well-known/security.txt.

Torni all'indice

14. Fëmijët

Shërbimet tona u drejtohen personave mbi 18 vjeç. Nuk mbledhim me vetëdije të dhëna të fëmijëve dhe nuk pranojmë llogari ose aplikime prej tyre. Nëse konstatojmë se kemi marrë të dhëna të një fëmije pa bazë ligjore, i fshijmë. Nëse jeni prind ose kujdestar dhe dyshoni se ka ndodhur kjo, shkruani në info@albnova.com.

Torni all'indice

15. Ndryshimet

Nëse e ndryshojmë këtë njoftim, përditësojmë datën në krye të faqes. Ndryshimet thelbësore — një qëllim i ri përpunimi, një marrës i ri, një afat më i gjatë ruajtjeje — jua komunikojmë drejtpërdrejt përpara se të hyjnë në fuqi.

Torni all'indice